Deputeti demokrat Ervin Salianji ka reaguar në lidhje me investigimin e BIRN, ku thuhet se kompanitë e lidhura me zyrtarë të PS-së kanë përfituar 660 milionë euro nga tenderat e rindërtimit.
Përmes një mesazhi në Facebook, Salianji thekson se Shqipëria vazhdon në listën gri te pastrimit të parave në raportin e Moneyval. Mes të tjerash, Salianji ndalet te procedurat për zgjedhjen e presidentit si dhe pakti i arritur sot me PS. Sipas tij është tallëse që t’i thuash opozitës; më sill emra kandidatësh për raundet e para.
“Mediat kanë zbuluar sot se 660 milionë euro nga fondet e rindërtimit janë përlarë nga familjarë të drejtuesve dhe deputetëve të rilindjes, Shqipëria vazhdon në listën gri te pastrimit të parave ne raportin e Moneyval! Rendi përtokë, kokaina sheshit, kallashi kërcet në mes të ditës, ekonomia ka marrë tatëpjetën por asgjë nuk thuhet për to sepse Rama ka kap një pjesë të opozitës! Nuk ka sulm më të madh ndaj demokracisë dhe tallje me publikun se ti thuash opozitës sill emra në 2 raundet e para që qeveria nuk dërgon asnjë emër dhe në raundin e 4 e zgjedh vetë Rama! Kjo është një kockë ndjellëse që të përçajë opozitën dhe të frangmentarizojë më shumë për shkak të emrave që duhet të propozohen për tu djegur! Futja në këtë hulli pa marrë dakortësinë e shumicës së grupit, pa tagra përfaqësimi dhe me sjellje harbute tregon gjithçka përveçse të kesh interes Partinë Demokratike! I rrënuari nga vota popullore po përpiqet t’i bëjë dëmet e fundit Partisë Demokratike”, shkruan Salianji.