Është finalizuar me sukses operacioni policor i koduar “Bratosh”. Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve, për kapjen e personave të shpallur në kërkim.
Si rezultat i këtij operacioni u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve: Marash Therqaj, 60 vjeç (babai) dhe Elton Therqaj, 25 vjeç dhe Danjel Therqaj, 21 vjeç (dy djemtë), banues në fshatin Bratosh, Malësi e Madhe.
Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër i ka caktuar këtyre shtetasve, masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi në afërsi të banesës së tyre janë gjetur të kultivuara bimë narkotike canabis sativa.
Në lidhje me këtë rast, në datën 22.08.2021, janë arrestuar në flagrancë shtetasja E. M., 23 vjeçe, banuese në fshatin Bratosh, Malësi e Madhe (bashkëshortja e shtetasit E. Th), dhe një 15-vjeçar, pasi gjatë kontrollit në banesat e tyre, janë gjetur 10.2 kg lëndë narkotike kanabis dhe një armë zjarri pistoletë.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasja E. M. dhe 15-vjeçari janë bashkëpunëtorë me shtetasit M. Th., E. Th. dhe D. Th. (të ndaluar) dhe me 2 shtetasit e tjerë të shpallur në kërkim, D. Th. dhe M. P. (babai i 15-vjeçarit).
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.