Prokuroria e Lezhës ka mbyllur hetimet për të vëllain Edmond Përdoda edhe ky i akuzuar i përfshirë në vrasjen e rapsodit Kol Murrani dhe mikut të tij Preng Simoni, ngjarje e ndodhur në muajin prill të vitit 2020 në fshatin Lalm Lukaj të Njësisë Administrative të Kolshit.
Ndaj Edmond Përdodës, prokuroria ka ngritur akuzat “Vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtje pa leje”. Dosja penale është mbyllur dhe brenda pak ditësh organi i akuzës do ta dërgojë në gjykatë, ku do të hidhet në short për të nisur gjykimin paraprak. Pas gati vitesh në arrati, Edmond Përdoda u arrestua në muajin shkurt të këtij viti në banesen e tij në fshatin Lalm i Ri të Lezhës. Për prangosjen e Përdodës, krahas policisë së Lezhës ishin dhe Forcat RENEA.
Pas arrestimit ai pranoi autorësinë e vrasjes së dyfishtë, duke treguar dhe vendin ku kishte fshehur armët e krimit, të cilat ishin groposur në mal pak metra larg vendit të ngjarjes, ndërsa mohoi përfshirjen e të vëllait Aleksander Përdoda në këtë krim të dyfishtë, duke deklaruar se kishte vepruar i vetëm.
Por nga veprimet hetimore dhe provave të grumbulluara, prokuroria e Lezhës doli në konkluzionin se në vrasjen e rapsodit Kol Murrani dhe mikut të tij Preng Simoni janë përfshire të dy vëllezërit Përdoda, pavarësisht se Aleksandër Përdoda i cili u dënua nga Gjykata e shkallës së parë në Lezhë me burgim të përjetshëm e ka mohuar në vazhdimësi përfshirjen e tij në këtë ngjarje dhe madje vendimi është ankimuar në Gjykatën e Apelit në Shkodër. Rapsodi Kol Murrani dhe miku i tij Preng Simoni u gjeten të vrarë me armë zjarri më 27 prill të vitit 2020, pranë shtëpive të tyre të vjetra në fshatin Lalm i Lukaj, të Njësisë Administrative të Kolshit.