Violeta Kalaj është arrestuar sot nga policia në Tiranë. Arrestimi i saj është bërë në kuadër të operacionit të koduar “Hostel” pasi akuzohet se ka strehuar emigrantë të paligjshëm në hotelin e saj.
Hoteli ndodhet në Laprakë, ku policia pas kontrolleve të ushtruara ka gjetur 9 emigrantë që kishin hyrë në mënyrë ilegale në Shqipëri.
Finalizohen gjatë orëve të fundit, 2 operacione policore, të koduara “Camouflage 5” dhe “Hostel”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Po ashtu në kuadër të operacionit policor të koduar “Camouflage 5” u arrestua në flagrancë personi i identifikuar me emrin Artan Frroku.
Policia njofton se u shpall në kërkim personi i identifikuar me iniciale A. L., 24 vjeç, banues në Tiranë.
Këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kundrejt shpërblimit monetar, kryenin transportin e emigrantëve të paligjshëm, nga Devolli në Tiranë. Më pas, pasi i strehonin emigrantët e paligjshëm në Tiranë, me ndihmën e personave të tjerë, kryenin transportin e tyre drejt Kukësit, me qëllim kalimin në Kosovë dhe më pas në vendet e BE-së.