Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj ka denoncuar një tjetër skandal për Parkun e Butrintit, ku sipas tij pasi ministrja Olta Xhaçka mori “copën e saj të tortës”, tani Rama po favorizon Damian Gjknurin.
Shehaj ka zbuluar se një pjesë të Parkut të Butrintit do ta marrë djali i xhaxhait të Gjiknurit. Në një postim në rrjetet sociale, Shehaj shkruan se ky është vendimi më i fundit Komitetit të Investimeve Strategjike.
Sipas tij, Resorti “Manastir Resort” do të ndërtohet pranë parkut arkeologjik të Butrinit. Pak kohë më parë qeveria e zvogëloi parkun duke nxjerrë 800 hektarë nga zona e mbrojtur, pikërisht që aty të ndërtonte resorti kushëriri i Damian Gjiknurit.
“Pas resortit me 5 yje të Xhaçkës, Rama i jep një pjesë të parkut të Butrintit familjarve të ish-ministrit Gjiknuri, aktualisht numri 2 i partisë socialiste. Qeveria vazhdon favoret korruptive për ministrat, ish ministrat dhe të afërmit e tyre. Vendimi më i fundit i Komitetit të Investimeve Strategjike, që kryesohet nga Edi Rama është dhënia e statusit të investitorit strategjik për “Manastir Resort”. 50% e Kompanisë që përfitoi statusin e investitorit strategjik zotërohet kompania ANDI. Kompania Andi zotërohet nga djali i xhaxhait të ish ministrit të infrastrukturës Damian Gjiknuri, sot sekretar i përgjithshëm i Partisë Socialiste. Pra gjysma e resortit që përfitoi nga qeveria statusin e investitorit strategjik dhe lehtësirat që të ofron ky status zotërohet nga njerëzit e afërt të Damian Gjiknurit. Por nuk është vetëm ky problem”, deklaroi Shehaj.