Është dënuar me 10 vite burg Ergys Malja, personi i akuzuar për përfshirje në vrasjen e Endri Mustafës, ngjarje e ndodhur 1 vit më parë në 17 Maj.
Vendimi është dhënë nga gjykata e Shkodrës, ndërsa Malja akuzohet për vrasje me paramendim të kryer në bashkëpunim. Prokuroria kërkoi 12 vite burgim për Ergys Maljan, ndërsa gjykata e shpalli fajtor duke e dënuar me 10 vite.
Ergys Malja akuzohet si personi që nxori në pritë Endri Mustafën në zonën e livadheve.
Autori
Autor kryesor i dyshuar për vrasjen e Mustafës, nga hetimet e deritanishme, është Ibrahim Lici. Një emër jo pak i njohur në valën e vrasjeve mes bandave prodhuar në kryeqendrën e Veriut të Shqipërisë. E për këtë arsye ngjarja e rëndë u hetua referuar përplasjeve të ndodhura ndër vite mes fiseve Lici, Bilali e Bajri në Shkodër, ku në këto dy të fundit viktima njihej si pjesëtar i grupit.
Ngjarja
Trupi i Mustafës u gjend i pajetë në zonën e Livadheve në Shkodër, në anë të një shkurreje, i ekzekutuar me 6 plumba dhe i mbuluar nga balta. I riu, baba i tre fëmijëve, u ekzekutua në mënyrë makabre, ku është qëlluar me 1 plumb në gojë, 2 në kokë dhe 3 në gjoks. Nga këqyrja e trupit dyshohet se fillimisht ai është dhunuar dhe më pas është qëlluar me armë zjarri. Ai nuk është një emër i panjohur në Shkodër pasi akuzohet për përfshirje në grupet kriminale të qytetit. Gjithashtu, ai ka qenë i arrestuar më parë pas një operacioni të Policisë së Shkodrës, ku është sekuestruar një arsenal i madh armësh. Në këtë operacion Mustafa është vënë në pranga së bashku me pjesëtarë të tjerë të grupit të A. Bilalit. Ndërsa ka qenë i dënuar më parë për plagosje dhe i arrestuar për fajde dhe grabitje.
Dëshmia e 15-vjeçarit para hetuesve
Në dëshminë e dhënë para hetuesve 15-vjeçari i arrestuar, i cili akuzohet si bashkëpunëtor në vrasjen e Mustafës ka rrëfyer momentin e ekzekutimit të 32-vjeçarit, ndërsa ka identifikuar si vrasës Ibrahim Licin. I riu ka deklaruar para prokurorëve se kishte mbjellë 150 rrënjë hashashi tek vendi i quajtur “Gropat e ekskavatorit”, në zonën e Livadheve dhe i kishte kërkuar viktimës ta ndihmonte t’i çonte në shtëpi për t’i tharë. Në mbrëmje, ata janë nisur duke kaluar nga By Pass-i dhe sipas pretendimeve të të miturit, Ibrahim Lici u ka dalë para dhe ka qëlluar direkt Mustafën, i cili ra përtokë menjëherë. 15-vjeçari pretendon se 32-vjeçari i ishte lutur për mëshirë, por Lici e ka qëlluar dy herë. Nga ky moment, sipas tij autori është larguar me motor. “Atë ditë kemi biseduar për punë hashashi, pasi i thashë së kisha mbjellë 150 rrënjë hashash 3-mujorësh në Livadhe me dy shokë dhe doja t’i merrja. Endri më tha se do të më ndihmonte që t’i merrja t’i çonim në shtëpi për t’i tharë. Pas kësaj bisede u nisëm për në shtëpi. Rreth orës 22:00 u nisëm për në Livadhe, pasi u takuam te shtëpia e Endrit, u nisëm në këmbë, duke kaluar rrugën e Bypass-it dhe u kthyem djathtas për të dalë në vendin e quajtur “Gropa e ekskavatorit”, ku kisha hashashin. Aty na doli përpara Ibrahim Lici me armë në dorë, duke qëlluar direkt mbi Endrin. Ai u shtri në tokë duke i thënë “aman mos më vrit pash Zotin se kam fëmijë”. Ai e ka qëlluar përsëri edhe në fytyrë, duke i thënë “qofsh i xhenetit”. Pas kësaj, Ibrahim Lici është larguar me motor nga vendi i ngjarjes”, ka dëshmuar ai.