Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për 37-vjeçarin Olgert Dhimitri i cili pas një sherri banal masakroi me thikë fqinjin e tij Ilir Kapo duke e lënë të vdekur.
Konflikti mes viktimës dhe autorit ka nisur pasi viktima e ka sharë me termin “malok” dhe Olgert Dhimitri është ndjerë i ofenduar dhe ka nisur menjëherë debatin, i cili përfundoi me vrasje. Autori dhe viktima ndodheshin në të njëjtin lokal, të dy ishin nën efektin e alkoolit.
Pas arrestimit nga policia, Dhimitri fillimisht nuk ka qenë në gjendje që të japë dëshminë e tij për shkak të efektit të alkoolit. Ndërsa gjatë seancës së sotme përballë Gjykatës ai është shprehur se nuk mbante mend asgjë dhe se i vinte shumë keq për ngjarjen e rëndë duke shfaqur shenja pendese.