Tre persona janë arrestuar në Pikën Doganore të Kapshticës pasi akuzohen për kontrabandë karburanti, vaj mjetesh dhe vaj ushqimor, medikamente mjekësore, prodhime letre dhe pleh kimik. Në pranga ka rënë Xh. H., 57 vjeç, banues në Ersekë; F. A., 54 vjeç, banues në fshatin Mollas, Kolonjë dhe K. P., 41 vjeç, banues në Korçë (me detyrë doganier në Pikën Doganore Kapshticë).
Sipas njoftimit, gjatë kontrollit të ushtruar në autobusin e Xh. H., me faturino F. A., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale sasi të konsiderueshme karburanti (nafte), medikamente mjekësore, prodhime letre, pleh kimik, vaj ushqimor dhe vaj automjetesh, mallra për të cilat shtetasit e mësipërm nuk kishin kryer detyrimet doganore.
Gjithashtu, nga hetimet e kryera dyshohet se K. P., me detyrë doganier, ka shpërdoruar detyrën, duke mos kryer procedurat për zhdoganimin e këtyre mallrave.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”, “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.