Eurodeputetja dhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon, ka deklaruar në Twitter se ka marrë një letër kërcënuese, si pasojë e një fjalimi të saj, fjalim i bërë para disa muajsh.
Sipas Von Cramon, letra kërcënuese ka ardhur nga grupi mercenar “Wagner”, grup i mbështetur nga Rusia dhe i drejtuar nga oligarku i afërt me Vladimir Putin, Yevgeny Prigozhin. Siç është deklaruar më herët, nga ky grup janë rekrutuar, trajnuar dhe dërguar operativë ushtarakë privatë në zonat e konfliktit kudo në botë për të ushtruar dhunë, grabitje të burimeve natyrore dhe frikësim të civilëve duke shkelur ligjet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Ky grupi mercenar rus ka marrë për herë të parë vëmendjen ndërkombëtare dhe mediatike në vitin 2014, kur ishte në mbështetje të separatistëve pro-rusë në lindje të Ukrainës.
“Rusia është një shaka! Grupi mercenar i sponsorizuar nga shteti rus, Wagner, i drejtuar nga oligarku i Putinit, Prigozhin është aq i pakënaqur me fjalimin tim plenar sa më ka dërguar një letër kërcënuese duke më paditur për 10.000.000 rubla. Më bënë për të qeshur. Gëzohem që jam në shoqërinë e Andrius Kubilius”, ka shkruar ajo një Twitter duke publikuar edhe letrën kërcënuese.
Ndryshe, siç ka bërë të ditur von Cramon, bëhet fjalë për një fjalim të saj të vitit 2021 në të cilin ajo kishte kërkuar që Bashkimi Evropian të vendosë sanksionet më të rrepta për grupin “Wagner”.
“’Vdekja është biznesi ynë dhe biznesi po shkon mirë. WagnerGroup i Rusisë dhe mercenarë të tjerë guxojnë të veprojnë nën këtë moto sepse ne i lejojmë ta bëjnë këtë. BE duhet të vendosë sanksionet më të rrepta për të treguar se vrasja nuk është biznes, është krim kundër njerëzimit!”, kishte deklaruar von Cramon.