Familjarët e 31-vjeçarit Ilvi Meta nuk besojnë se djali i tyre ka kryer vetëvrasje në Komisariatin e Kavajës, por kanë hedhur akuza të forta në drejtim të policisë.
Babai i të riut është shprehur se policia u ka thënë që djali i tyre u vetëvra me lidhësen e kapuçit të xhupit, por shtojnë se e kanë parë trupin e pajetë dhe sipas tyre shenja në qafë nuk kishte.
Sipas babait të Ilvit, 31-vjeçari u “ka mbetur në dorë policëve”, megjithëse policia e ka njoftuar rastin si vetëvrasje. I riu u arrestua ditën e djeshme pasi akuzohej se kishte kryer vjedhje në një banesë.
Ngjarja dyshohej se kishte ndodhur me 2 prill, por me urdhër të Prokurorisë, ditën e djeshme u kërkua arrestimi i tij, pasi analizat kishin treguar se shenjat e gishtërinjve të gjetura në banesën e vjedhur, rezultonin të të riut. Pas arrestimit, ky i fundit është vetëvrarë brenda komisariatit, ndërsa për ngjarjen janë arrestuar tre policët që ishin në shërbim.