Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka ka njoftuar se partia që drejton po fillon riorganizimin e strukturave të saj për zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm.
Duka njofton se PAA ka në fokus të saj bujqësinë dhe mjedisin në një kohë ku sipas tij fermerët po përballen me vështirësisë të mëdha për shkak të politikave të gabuara të qeverisë.
“PAA fillon riorganizimin për zgjedhjet vendore: Ideologjia jonë, bujqësia dhe mjedisi! Partia Agrare Ambientaliste fillon procesin e riorganizimit të strukturave të saj në bazë, për ta finalizuar me Asamblenë Kombëtare. PAA vjen me ambicie për të marre pjesë në zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm dhe për të rikonfirmuar veten si forcë politike e qendrës. PAA po punon për ristrukturimin e programit të saj politik dhe ideologjik, si një parti me sfond agro-mjedisor. Në kushtet kur bujqësia është në degradim dhe kur fermerët po përballen gjithnjë e më shumë me probleme që lidhen me kushtet klimatike dhe politikat qeverisëse, PAA e ka për detyrë të pozicionohet në krah të këtij sektori, jetik për ekonominë e vendit. Jo thjeshtë me fjalë, por me një platformë të qartë zhvillimi afatgjatë”, shkruan Duka.
Sipas Dukës, në një kohë kur situata mjedisore nuk po përmirësohet, dhe problemet po mbulohen me propagandë, PAA po do të hyjë në garë me një platformë për çështjet mjedisore.