Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka dhënë një deklaratë për mediat pas takimit që zhvilloi në kryesinë e Kuvendit me zyrtaren e lartë të DASH, Karen Donfried.
Alibeaj u shpreh se në takim është diskutuar për çështje që lidhen me zgjedhjet, krimin e organizuar dhe demokracinë në vend, ndërsa tha se kishte marrë mbështetje për një opozitë të fortë.
“Një takim miqësor së bashku me kolegët e mi dhe ekipin e saj. Folëm për çështje të rëndësishme që Shqipëria është duke u përballur siç është ajo e demokracisë, çështje që lidhen me zgjedhjet, krimit të organizuar. Diskutuam dhe për çështje që lidhen me shtetin e së drejtës që është një nevojë emergjente e Shqipërisë. Po kështu edhe për çështje të rëndësishme siç është ajo e luftës ndaj korrupsionit. I shpreh vendosmërinë tonë për të çuar përpara këto sfida. Vura re dhe pashë mbështetjen e madhe në këtë marrëdhënie të posaçme që SHBA ka me PD, sigurisht në situatën e vështirë. Mora mbështetjen e fortë për një opozitë të fortë, të qëndrueshme. Një opozitë pro-amerikane e cila sheh nga e ardhmja”, tha Alibeaj.
I pyetur nëse është diskutuar në takim për ish-kryeministrin Sali Berisha, Alibeaj refuzoi të jepte një përgjigje por anashkaloi pyetjen.
“Sfidat janë që prekin të gjithë Shqipërinë. Juve duhet ta dini se flitet për çështje të rëndësishme. Si demokracia shteti i së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit”, tha ai.