Kryeministri Edi Rama ka reaguar për debatin mbi parkun arkeologjik të Butrintit, ku gjatë fjalës së tij nuk i ka kursyer ofendimet për opozitën, duke i konsideruar si “budallenj”.
Në vend të argumenteve, kreu i qeverisë u tall me Partinë Demokratike për të cilën tha se i ka shpallur luftë Amerikës, referuar peticionit të ngritur online kundër ambasadores amerikane Yuri Kim duke thënë se “budallallëku në PD trashëgohet brez pas brezi”.
“Mora fjalën sepse duhet patjetër të sqaroj se mes jush që s’dini çfarë flisni jemi ne që dimë çfarë bëjmë. Butrinti nuk është pronë familjare. I keni njohur pronën një subjekti fizik në Teatrin e Vjetër të Butrintit. Jeni shprehur se një stër, stër, stër, stër jeton në teatrin antik, nuk ka si të shpjegohet ndryshe, budallallëku në familjen tuaj është ngjitëse, trashëgohet brez pas brezi, e keni në ADN dhe e trashëgoni brez pas brezi. Mendoni se i merrni njerëzit për budallenj dhe prandaj jeni katandisur kështu, ka një arsye degradimi juaj, por përsa kohë nuk e gjeni, nuk do ta shëroni, ndahuni në 100 pjesë po të doni. Vini e flisni ju për vlerat e trashëgimisë kulturore, ju që kulturalisht jeni rreziku më i madh për kulturën tonë, ju që kulturalisht jeni shembulli lëvizjes se si nuk duhet të bëhesh. Ju doni ta ktheni Shqipërinë në kohën kur luftonte me Amerikën”, tha Rama.
Kreu i qeverisë gjithashtu ka replikuar me deputetin e Partisë Demokratike, Edmond Spahon ndaj të cilit nuk kurseu kritikat dhe fyerjet. Rama tha se brenda në PD po qarkullon “sëmundja” e budallëkut, ndërsa Spaho iu përgjigj duke i thënë se është kryeministër i çmendur me kartelë.
“Profesor mos bërtit! Kot nuk ta përmenda emrin se dua që të vish këtu dhe të replikash me mua, nuk e prisja që të merrje flamurin e luftës kundra Amerikës. Degradimi juaj është se budallëku është sëmundje ngjitëse, është vetëm çështje kohe budallallëku juaj. Profesor pres që të vish të bësh replikë, është sëmundje ngjitëse dhe është kaq evidente dhe kur përplaseni me njëri-tjetrin jeni njësoj”, shtoi ai.