Pendimi i Nuredin Dumanit para drejtësisë, ka tronditur botën e krimit. Kjo pasi, Dumani krahas hesapeve të tij që kishte për të larë, akuzohet si vrasës me pagesë që përdorej nga banda të ndryshme kriminale.
Pas rreth një muaj që nga arrestimi i tij, Dumani ka pranuar të tregojë për të gjitha ngjarjet kriminale ku është përfshirë dhe se kush ishin porositësit e krimeve që ai ka kryer. Dumani, një nga më të kërkuarit e drejtësisë shqiptare, u kap në Fier gjatë një aksion më 29 mars të këtij viti. Ai u plagos në një shkëmbim zjarri në aksin rrugor Elbasan-Cërrik ku ishte nisur për të kryer një atentat. Së bashku me të u arrestua edhe Henrik Hoxhaj, i cili gjithashtu ka pranuar që të bashkëpunojë me drejtësinë.
Emri i Nuredin Dumanit del në pjesën më të madhe të dosjeve për vrasjet e kryera në Elbasan, Peqin e Durrës në 2 vitet e fundit. Dosja kryesore në të cilën Dumani akuzohet si bashkëpunëtor i Talo Çelës, është ajo e vrasjes së dy vëllezërve Haxhia në pranverën e 2020-ës. Pas kësaj vrasje, dyshohet se marrëdhënia e tyre u prish, e kjo për shkak se Prokuroria e Elbasanit beson se Dumani është ekzekutor i Bujar Çelës, vëllait të Talo Çelës.
Ndërkohë Nuredin Dumani akuzohet se ka marrë porosi edhe nga jashtë vendit për vrasje të bujshme në Shqipëri. Pas arrestimit të Dumani një grup hetuesish belg mbërritën në vendin tonë për të kërkuar informacione në SPAK dhe në Prokurorinë e Elbasanit, ku dyshohet se është përfshirë Nuredin Dumani.