Kryeministri Edi Rama ka mbajtur sot një aktiviteti informues për mbylljen e sporteleve të shërbimeve publike dhe kalimin e tyre online duke nisur nga 1 maji.
Rama tha se është e panevojshme që të shpenzohen miliona euro, në letra dhe bojë, për certifikatat fizike, ndërsa shtoi se mbyllja e këtyre sporteleve synon shmangien e ryshfetit dhe vonesave në marrjen e shërbimit nga ana e qytetarëve.
Rama tha se është i vetëdijshëm që në fillim, qytetarët do të kenë disi vështirësi në shkëputjen nga shërbimi në sportele, ndërsa nuk nguroi të sulmojë gjendjen civile se përse kanë shpenzuar 1.5 milionë lekë për certifikata fizike.
“Dëgjova këtu drejtorin e gjendjes civile, tha se janë lëshuar 1.5 mln certifikata me letër vjet, unë pyes pse? Pse ministria e brendshme shpenzoi për bojë kaq shumë? Për cilën arsye në botë, Ministria e Brendshme ka shpenzuar 1.5 milionë certifikata fizike, të paktën prej 4 vitesh, nuk ka pasur më nevojë që të harxhohet një pikë boje, dhe letër që të printohen certifikatat. Në 30 Prill nuk do të ketë më sportele, edhe pse në fillim do të ketë ngërçe, do të ketë njerëz që nuk do të dinë ku të aplikojnë, por nevoja do ti bëjë të mësojnë. I kam kërkuar në një mbledhje përgatitore, ministrisë së brendshme që të marrë të gjithë printerat dhe letrat nga gjendja civile, pasi janë para qoftë për shtetin, qoftë për njerëzit. Janë 7 milionë euro që janë kursyer vetëm për letra, është e padrejtë që njerëzve të vazhdohet tiu jepet certifikata letre, çdokush e merr certifikatën pa dalë fare nga shtëpia, mjafton të zgjasë dorën te tavolina dhe të marrë telefonin. Të gjitha janë këtu, s’ke pse të shkosh dhe atje të famëkeqja hipotekë”, tha Rama.