Nuredin Dumani, autor i disa ngjarjeve të rënda kriminale, ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë, duke marrë statusin e të penduarit.
Rreth dy javë më parë SPAK i ofroi Nuredin Dumanit kërkesën për bashkëpunim dhe statusin e të penduarit. Mësohet se edhe prokuroria e Elbasanit ka ofruar opsionin e bashkëpunimit për të arrestuarin tjetër, Henrik Hoxhaj, i cili besohet se ka të dhëna të shumta mbi veprimtarinë kriminale, pasi ishte një nga njerëzit më të besuar të Nuredin Dumanit.
Arrestimi i Dumanit
Nuredin Dumani u vu në pranga më 31 mars, vetëm pak orë pasi ishte plagosur pas përplasjes me armë që pati me Talo Çelën në Papër të Elbasanit. Pas atentatit ai u plagos dhe u strehua në Fier, por që u kap nga Policia. Fillimisht u njoftua nga policia për BMË-në që u qëllua me breshëri dhe që ishte më targa të vjedhura në qytetin e Durrësit që në prill të vitit 2021. Mjeti BMW ishte i Nuredin Dumanit dhe pas shkëmbimit me armë zjarri që mendohet se ka pasur me Talo Çelën, braktisi makinën dhe u largua nga vendi i ngjarjes menjëherë pas të shtënave. Gjatë kontrollit policia gjeti në automjet një kallashnikov edhe një bidon me 5 litra benzinë. Gjatë aksionit u arrestua edhe e dashura e tij 20-vjeçare nga Kosova. Po ashtu në pranga ranë edhe dy mjekë dhe një infermier të cilët i dhanë ndihmë mjekësore Dumanit pas plagosjes, por më pas u lanë në detyrim paraqitje. Para Gjykatës ata thanë se se bënë detyrën dhe nuk kishin informacion se kush ishte i plagosuri në fjalë.
Kush është Nuredin Dumani?
Nuredin Dumani është një nga personazhet më të rrezikshëm në Shqipëri, pasi akuzohet si vrasës serial, i përfshirë në të paktën 7 vrasje. Ndaj Dumanit më herët Prokuroria ka lëshuar dy urdhër-arreste dhe ka në duar prova të mjaftueshme për ta implikuar si ekzekutor në të paktën shtatë vrasje. Nuredin Dumani ka qenë krahu i djathtë i të shumëkërkuarit tjetër Talo Çela, i cili edhe ky është shpallur në kërkim nga policia, pasi akuzohet për një sërë vrasjesh. Dumani më herët ka qenë i akuzuar për prostitucion, por prej vitit 2022, ndaj tij rezultojnë edhe akuzat e vrasjes ndaj 7 personave.
Miq dhe armiq me Talo Çelën
Historia nis me vrasjen e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia në Durrës më 27 prill 2020 dhe si edhe Dorian Shkoza dhe Anxhelo Avdia në 2 mars 2020, ku Nuredin Dumani akuzohet së bashku me Talo Çelën. Megjithatë, hetuesit kanë dyshime se mes Dumanit dhe Çelës ka patur mosmarrëveshje që pas eliminimit në Sinaballaj të Rrogozhinës të Klevis Kapllanajt. 3 ditë pas vrasjes së 33-vjeçarit, në automjetin e tij mëngjesin e 17 shtatorit u vra dhe Bujar Çela. Kapllanaj dhe Dumani, sipas prokurorisë, kanë qenë miq. Pra dyshohet që Talo Çela ka ekzekutuar Klevis Kapllanajn, shokun e Nuredin Dumanit, prandaj ky i fundit në shenjë hakmarrjeje i ka vrarë të vëllanë, Bujar Çelën.