Partia Lista Serbe ka dënuar sulmin e sotëm në Zubin Potok ndaj Policisë së Kosovës, duke deklaruar se serbët që përbëjnë shumicën e popullsisë nuk qëndrojnë mbas sulmeve ndaj policisë në veri të Kosovës.
Nëprmjet një njoftimi në Facebook, thuhet se e dënojnë sulmin ndaj Policisë dhe incidenti është përpjekje sipas tyre për t’i paraqitur serbët si ngacmues.
“Lista Serbe dënon incidentin që ndodhi këtë mëngjes në komunën e Zubin Potokut ku janë dëmtuar veturat e policisë së Kosovës. Incidenti ka për qëllim të destabilizojë mundësitë por edhe një përpjekje për t’i paraqitur serbët si ngacmues që nuk korrespodon me të vërtetën”, thuhet në njoftim.
Lista Serbe u ka bërë thirrje qytetarëve që të përmbahen dhe të mos bien në provokime.
“Ne u bëjmë thirrje qytetarëve që të përmbahen që ata të mos bien në provokime dhe të mos lejojnë që incidente të tilal të prishin paqen në rajon. Kushdo që e ka bërë atë nuk ka menduar mirë për popullin serb”, shkruhet në deklaratë.
Një patrullë e Policisë së Kosovës është sulmuar mëngjesin e sotëm me armë zjarri në fshatin Zupçe të Zubin Potokut. Përveç dëmeve materiale në automjet nuk raportohet për zyrtarë të lënduar.
Sulmi i sotëm ndaj Policisë së Kosovës është vazhdimësi e disa sulmeve të ndodhura ditëve të fundit.
Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin, përderisa ka shtuar masat policore me qëllim të sigurisë së zyrtarëve policorë dhe qytetarëve.