Zbulohen detaje të reja në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi pak ditë më parë në Itali, ku avokati shqiptar u gjet në rrugë me fytin e prerë në tunelin që lidh Emilia Santo Stefano dhe San Giuseppe, në qendrën historike të Reggio Emilia. Ka qenë një kalimtar i rastit që ka gjetur burrin dhe ka denoncuar faktin në polici.
Mediat e huaja bëjnë me dije se në xhepin e avokatit shqiptar, Aineo Redo është gjetur një letër. Në të letër thuhet se 48-vjeçari kërkonte ndjesë për aktin ekstrem.
Redo është gjetur nga kalimtarët me fyt të prerë ndërsa në dorë kishte një thikë. Policia dyshon se është vetëvrasje, ndërsa nuk përjashtohet dhe fakti që të jetë dhe vrasje dhe autorët ta kenë lënë në dorën e viktimës thikën, për tu dukur si vetëvrasje.
Aineo Redo, ishte i martuar dhe kishte dy fëmijë, me profesion avokat emigracioni. Ai ka ardhur nga Shqipëria shumë vite më parë, në Itali është diplomuar për drejtësi dhe është bërë ortak në një studio të rëndësishme ligjore, e cila ndodhet disa dhjetëra metra larg galerisë BNL. I pasionuar pas sportit, ai luajti në ekipin e avokatëve të Reggio.
Sipas rikonstruksionit të kryer nga hetuesit, të cilët po shqyrtojnë pamjet e kamerave të vëzhgimit, Redo do të kishte mbërritur në studio me biçikletë dhe më pas do të ishte larguar në këmbë. Në errësirën e tunelit, ai dyshohet se ka vrarë veten duke mbajtur thikën që i gjendej ende në dorë, të shtrënguar në grusht. Por vetëm raporti i mjekut dhe hetimet për gjetjet e sekuestruara në zonë nga karabinierët, do të mund të pastrojnë fushën nga të gjitha dyshimet.
Karabinierët kanë ndërhyrë në vend me departamentin shkencor dhe hetuesit. Gjatë paradites në vendngjarje kanë mbërritur edhe koloneli i Karabinierëve, Stefano Bove dhe prokurori Jacopo Berardi, i cili koordinon hetimet.