Vrasja e avokatit shqiptar Aineo Redo, mbrëmjen e djeshme në Itali vijon të hetohet nga policia. Ai u gjet me shenja të prera në fyt dhe me një thikë në dorë.
Nuk dihet ende nëse kemi të bëjmë me një vrasje apo vetëvrasje. Pista e parë sipas hetuesve është vetëvrasja. Por gjithashtu po hetohet edhe pista e vrasjes. Ka dyshime se autori mund të ketë vendosur thikën në dorën e 49-vjeçarit për të shmangur hetimet në mënyrë që ngjarja të duket si vetëvrasje.
Mesazhet e ngushëllimit dhe dyshimit kanë ndjekur njëra-tjetrën që prej ditës së djeshme kur u vërtetua se trupi i pajetë ishte i avokatit.
“Ishte një njeri shumë i mirë, që u shpenzua pa rezerva për njerëzit në nevojë”, kështu e kujtojnë kolegët dhe miqtë.
Aineo Redo, avokati 49-vjeçar me origjinë shqiptare, emigroi nga Shqipëria dhe mbërriti në Reggio me shumë sakrifica.
Mëngjesin e djeshëm trupi i tij u gjet nga një kalimtar nën galerinë e bankës BNL në Via Emilia Santo Stefano. Aineo Redo, Enea për miqtë, la pas gruan dhe dy fëmijët, 9 dhe 18 vjeç.