Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj po e sheh vetëm si ëndërr të kryeministrit Albin Kurti, pretendimet e tij se Kosova do të aplikojë këtë vit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ajo thotë se për një gjë të tillë duhet konsensus brenda unionit evropian dhe një mori procedurash për të cilat Kosova aktualisht nuk i ka përfunduar.
Kadrijaj thotë për KosovaPress, se përderisa pesë vendet e BE-së nuk e njohin Kosovën do të jetë i vështirë aplikimi për anëtarësim në BE.
“Po shohim se s’kemi asnjë aplikim për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe tash edhe në Këshill të Evropës. Ndërsa ajo çka po prononcohet zotëri Kurti se do të aplikojë për anëtarësim në BE, është një ëndërr që po e sheh, pasi ne kemi pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe aty duhet një konsensus. Por paraprakisht për anëtarësim në BE-janë para anëtarësimi dhe harmonizimi i krejt legjislacionit me atë të BE-së. Për këtë arsye po shohim fjalë shumë, por veprime konkrete asnjë”, thotë ajo.
Deputetja opozitare adreson kritika edhe ndaj paketës mbështetëse të qeverisë ndaj qytetarëve, duke thënë se 100 euro janë lëmoshë.