Xhelal Mziu është në listën e atyre deputetëve demokratë që mbështesin platformën e prezantuar nga Enkelejd Alibeaj për bashkimin e demokratëve dhe zgjidhjen e krizës në selinë blu.
Përmes një postimi në Facebook, Mziu shkruan se i bashkohet deputetëve që mbështet platformën e Alibeajt, dhe shton se kjo platformë është rruga e vetme për bashkimin e PD.
“Partia Demokratike ka qenë dhe ngelet shpresë për demokratët dhe për çdo shqiptarë! Bashkimi i Partisë Demokratike është zgjidhja e vetme, që nesër të jemi forcë qeverisëse! Për shkak të disa angazhimeve personale, kam munguar në diskutimin e platformës së propozuar nga kolegët deputetë të grupit parlamentar të PD. I bashkohem listës së deputetëve dhe mbështes këtë platformë si rruga e duhur për çdo demokratë dhe shqiptarë, për një Shqipëri Evropiane nesër!”, shkruan Alibeaj.
Kreu i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj prezantoi sot platformën e propozuar prej tij për bashkimin e PD, e cila është firmosur nga 32 deputetë, dhe lejon Berishën dhe Bashën të kandidojnë për kreun e PD, por deri në bashkimin e demokratëve të shtyhen zgjedhjet.