Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ishte i prerë gjatë fjalës së tij në Kuvend, kur i tha opozitës se kanabisi mjekësor do të legalizohet si dhe amnistia fiskale do të bëhet.
Pavarësisht kundërshtive të shumta nga ana e opozitës që janë kundër legalizimit të kanabisit, mazhoranca vijon të mos ndryshojë qëndrim. Sakaq ai theksoi se në rast se në qershor historia e Bullgarisë me RMV do të përsëritet, ne do të ndahemi nga Maqedonia e Veriut për procesin e integrimit, duke i qëndruar deklaratës së kryeministrit Rama.
“Deputeti parafolës i PD mbajti konferencë për shtyp, nëse ke prova zotëri shko në Prokurori. E kanë thënë këtu nuk jam dakord me atë jam dakord me ty. Meqë ta kanë thënë që e ke blerë mandatin, kallëzoje penalisht. Unë mendoj që duhet të vendosim disa standard. Falënderoj opozitën që e ka ndjekur Kongresin e PS me shumë vëmendje. Ku t’ju kapim e ku t’ju lëmë. Edhe ti zotëri që sapo fole i drejtohet (Agron Shehajt), për ty thonë se e ke blerë mandatin te Basha. Bjerini dajres sa të doni ne amnistinë fiskale do ta bëjmë. Bjerini sa të doni edhe për kanabisin mjekësor sepse kjo është shumë e rëndësishme, historia e krenarisë në Lazarat ka marrë fund. Ne nuk do të lejojmë më që të përsëritet. Por instrumente që sjellin të ardhura në këtë vend mirëpriten”, tha Balla, ndërsa shtoi: “Rruga për në BE sot është më afër se kurrë”.