Deputeti demokrat Flamur Noka, njëkohësisht anëtar i Komisionit të Rithemelimit, ka dalë në një konferencë për media ku komentoi raportin e DASH mbi zbatueshmërinë e ligjit në Shqipëri, ku e cilëson korrupsionin si problemin kryesor në vend, por nuk tha asnjë fjalë për non gratën e ish-deputetit Aqif Rakipi.
Nga selia blu, Noka tha se vendimi i DASH është këmbanë alarmi për shqiptarët, ndërsa shtoi ky raport tregon se sistemi i drejtësisë nuk është i pavarur.
“A është sistemi i drejtësisë i pavarur raporti i DASH thotë jo. Presioni politik, burimet e kufizuara dhe korrupsioni e kanë penguar gjyqësorin që të funksionojë lirshmërisht. Shqiptarët e dinë se ka një emër që është në krye të pengmarrësve që është Edi Rama, i cili në kongresin e PD-së e urdhëroi SPAK se kë duhet të hetojë dhe kush është i paprekshëm. PD-ja ka votuar për një sistem të lirë të drejtësisë, por a është kjo qeveri e korruptuar raporti i DASH thotë po, kjo është një këmbanë alarmi për shqiptarët. Ka ardhur koha që të bëhemi bashkë dhe të shkurtojmë jetën kësaj qeverie të korruptuar”, ka thënë Noka.
Ndonëse ka dy ditë që SHBA shpalli non grata ish deputetin e PDIU, Aqif Rakipi, nuk ka ende asnjë reagim nga Komisioni i Rithemelimit në PD. Kjo vetëm si pasojë e non gratës së ish kryeministrit Sali Berisha, “njollë” që po i pengon deputetët e Rithemelimit që të komentojnë non gratën e Rakipit.
Kujtojmë se dhe në mbledhjen e djeshme të PD pati përplasje për mungesën e reagimit ku deputeti Gazment Bardhi ka sulmuar deputetët e Berishës se përse heshtën për Rakipin.