Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar lidhur me Kongresin e Partisë socialiste, të cilin e cilëson si “kanabo-kongres”, duke bërë, sipas tij një analizë të bilancit të kësaj qeverie në këto 9 vite pushtet.
“Te dashur miq, sot Partia Socialiste e Shqipërisë mblidhet në Kongresin e saj, të cilin pa filluar punimet mediat e cilësuan si Kanabo-Kongresin e saj. Duke respektuar plotësisht këtë vlerësim unë do të ndalem këtu shkurtimisht në analizën e bilancit dramatik të qeverisjes së kësaj partie dhe sqaroj që në krye të radhës se me këtë analizë nuk fajësoj anëtarësinë e PS dhe mbështetësit e saj por vetëm e vetëm udhëheqjen kryesore, nomenklaturën e saj të korruptuar me në krye Edi Ramën”, shkruan Berisha.
Berisha shkruan në Facebook se PS me në krye Ramën është shndërruar në organizatë kriminale, ka zëvendësuar sistemin e votës së lirë dhe sipas Berishës ka ndërtuar “narko-shtetin” e parë në Evropë duke bllokuar kështu negociatat me BE.
Ish-kryeministri ka ndaluar dhe në sulmet që Rama i ka bërë PD, duke thënë se është përpjekur të marrë peng PD, ka rritur varfërinë si dhe po minon interesat kombëtare me nismën e “Open Balkan”.