Institucioni i Presidencës ka reaguar pas deklaratave të kryebashkiakut Erion Veliaj se presidenti Ilir Meta qëndron i dehur shumicën e kohës dhe sulmon Shtet e Bashkuara të Amerikës.
Zëdhënës i Presidencës, Tedi Blushi shkruan në Facebook se Veliaj përdoret si “qen sulmi” nga kryeministri Rama, ndërsa i quan si shpifje deklaratat e tij. Sipas tij, Meta nuk kishte në plan të reagonte për Kongresin, por u nxit nga deklarata e Veliaj.
“Organizata Kriminale e inceneratorëve përmes një keqbërësi të interesit publik, që përdoret si qen sulmi nga Brigadieri i kësaj organizate sulmoi sot figurën e Presidentit të Republikës me shpifje të denja për një rrugaç. Të gjithë shqiptarët e ndershëm dhe patriotë i dinë mirë arsyet se përse Organizata Kriminale e inceneratorëve dhe të gjithë kriminalizimit të shtetit e shoqërisë e urren Presidentin Meta si denoncuesin e palëkundur, bazuar mbi fakte publike dhe transparente, jo vetëm të aferës makabre të inceneratorëve, por edhe të shumë koncesioneve të tjera korruptive. Presidenti i Republikës ndonëse kishte vendosur edhe në respekt të Kongresit të PS të mos bënte asnjë postim apo dalje mediatike, pas shpifjeve të programuara nga organizata e incineratorëve kundër Kreut të Shtetit, në respekt të të gjithë qytetarëve, por edhe të delegatëve të Kongresit të PS sot pasdite do të mbajë një konferencë shtypi”, shkruan Blushi.