Muzikanti i njohur Tiri Gjoci, njëkohësisht edhe miku i aktorit Donald Veshaj dhe këngëtares Beatrix Ramosaj ka folur për raportet e tij me ish-çiftin. Ai deklaroi se ekziston edhe mundësia që të sjellë një bashkëpunim muzikor me këngëtaren dhe binjakët Veshaj.
Tiri Gjoci ishte i ftuar ditën e sotme në një intervistë për emisionin “N’Zoom” ku është pyetur nëse ka në plan të ketë një bashkëpunim për ndonjë projekt muzikor me këngëtaren dhe miken e tij Beatrix Ramosajn. Ai ka treguar se është i hapur për çfarëdolloj projekti me të duke mos përjashtuar mundësinë e një bashkëpunimi edhe me vëllezërit Donald dhe Romeo Veshaj.
“Pse jo, nuk është se e kam menduar po do të isha i hapur për çfarëdolloj bashkëpunimi, jo vetëm me Triksën por edhe fundja edhe me vëllezërit Veshaj. Kështu që nuk ka asnjë lloj problemi.”
Gjatë intervistës ai ka folur edhe në lidhje me postimet e tij në rrjetet sociale, në mbështetje të aktorit Donald Veshaj, gjatë kohës kur ai ishte pjesë e “Big Brother Vip.”
Gjithashtu, Tiri sqaroi se ka një raport miqësor me Donaldin dhe Beatrixën dhe për sa i përket historisë së tyre tha se nuk i takon të përfshihet.
“Vëllezërit janë shokët e mi, miqtë e mi, ashtu si edhe Triksa. Dhe çfarë ka ndodhur mes tyre, ka ndodhur mes tyre dhe nuk më takon të përfshihem te kjo gjëja. Mund të kem bërë disa komente rreth Big-ut që njerëzit kanë gjetur shkak që të kapen me këtë gjë, por… kaq dmth.”