6 ditë më parë Këshilli Bashkiak i Kukësit në heshtje ka dhënë për përdorim 1.3327 Hektarë tokë pyje dhe kullota pronë publike e Kolesjanit një subjekti për ndërtim HEC-i. Menjëherë kanë nisur reagimet e ashpra të cilat kundërshtojnë këtë vendim. Me anë të një postimi në Facebook, eksperti Admir Sinamati shkruan se ky vendim është në kundërshtim me ligjin pasi nuk është marrë pëlqimi i pronarëve të kësaj pasurie që janë vetë banorët e Kolesjanit.
“Një akt i shëmtuar e i papërgjegjshëm i “Komitetit Ekzekutiv të Kukësit. Një mik me shumë vlerë, djalë i Kolesjanit sapo më dërgoi këtë foto. E lexova dhe nuk po e besoj por qenka e vërtetë. 1.3327 Hektarë tokë pyje dhe kullota pronë publike e Kolesjanit i janë dhënë një subjekti për ndërtim HEC-i, pa marrë parasysh disa fakte. Ky Këshill Bashkiak nuk përfaqson as 10% të votuesve të Kukësit dhe as 5% të banorëve të Kolesjanit me të drejtë vote. Me sa u informova nuk është marrë pëlqimi i pronarëve të kësaj pasurie që janë vetë banorët e Kolesjanit (ata që jetojnë aty dhe tjerët që janë fizikisht larg)” – shkruan Sinemati.
Ai gjithashtu shkruan se uji që tentohet të merret e kthen Kolesianin në një fshat shkretëtirë në mes të ujërave. Për këtë, Sinemati paralajmëron se do të ketë reagime të ashpra duke u bërë një burim konflikti mes bisnesmenëve dhe vetë kolesjanasve.
“Uji që tentohet të merret e kthen Kolesianin në një fshat shkretëtirë në mes të ujërave. Së fundmi ky vendim i papërgjegjshëm do të behet shkas për reagime të ashpra duke u bërë një burim konflikti mes bisnesmenëve dhe vetë kolesjanasve që nuk e kapërdijnë këtë maskarallëk të kthyer në vendim Këshilli Bashkiak. Si një adhurues i pakompromis i natyrës së atyre bjeshkëve dhe si bir i Lumës shpreh indinjatën time me këtë gjest, ftoj dhe bashkohem me të gjithë ato persona që janë kundër këtij vendimi, me qëllimin që të çbëhet ai sa më parë dhe të pamundësohet realizimi i këtij projekti ngatërrestar” – thotë Sinemati.