Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar vendimin e Gjykatës së Lartë për ekstradimin drejtë Italisë të kreut të kartelit të drogës Gentian Manaj, i cilësuar si kreu i ‘Los Blancos’.
Manajt akuzohet se është pjesë e një karteli shqiptar që trafikonte sasi të mëdha droge nga Amerika Latine drejt Europës. Arrestimi i 35-vjeçarit i njohur ndryshe edhe me emrin Myzafer, u bë në shtator 2020 në Tiranë, pas një urdhri ndërkombëtar nga Interpol Roma në Itali, pasi Gjykata e Firences kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg”. Konkretisht, drejtësia italiane e akuzon Manajn për “Organizatë kriminale” dhe “Trafik ndërkombëtar droge”. Ndërsa, referuar vendimit të gjykatës, mësohet se Manaj e ka kundërshtuar ekstradimin përmes avokatit të tij mbrojtës, duke pretenduar se ai nuk ishte identifikuar në lidhje me veprën penale. Sipas avokatit, prokuroria ka paraqitur një profil kripto-telefonik me pseudonimin “Bahamas”, por nuk e ka shpjeguar koincidencën me Gentianin.
Operacioni i koduar “Los Blancos” i koordinuar nga Europol, shtrihej në Itali, Shqipëri, Belgjikë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Gjermani, Greqi, Holandë, Rumani, Hungari dhe Ekuador. Bashkë me Manajn u arrestuan edhe 4 shqiptarë të tjerë, mes të cilëve edhe Eldi Dizdari, i cili u arrestua në Dubai. Ndërsa, dyshohet se Dritan Rexhepi, i cili aktualisht ndodhet në një burg në Ekuador, është personi i cili ka luajtur një rol të rëndësishëm në këtë organizatë kriminale. Sipas hetimit, karteli po importonte dërgesa të mëdha kokaine nga Amerika Latine, të financuara nga grupe kryesore të trafikantëve të drogës që vepronin në të gjithë Europën.