Shtohet numri i ankesave pranë Agjensisë të Mbikqyrjes Policore ku numri më i lartë i ankesave është për efektivët e rendit dhe rrugoren.
Në tre muaj, Agjensia e Mbikqyrjes Policore ka dërguar në prokurori për t’u hetuar 67 efektivë të sektorëve të ndryshëm dhe 3 punonjës të Gardës së Republikës. Pjesa më e madhe dyshohen për shpërdorim detyre dhe korrupsion, por dhe për vepra të tjera penale, si mosveprim apo veprime arbitrare.
Gjatë fazës së hetimeve, 10 efektivë janë arrestuar në flagrancë. Për disa të tjerë, Gjykata ka caktuar arrest në shtëpi dhe pezullim nga detyra. Kryesisht, referimet në Prokurori janë kryer nga AMB, edhe mbi bazën e ankesave të bëra nga qytetarët.
Në tre muaj, Agjensia ka trajtuar në total 494 ankesa. Nga të cilat 221 ankesa janë për efektivët e Rendit, 143 për punonjës të Policisë Rrugore, 105 ankesa për sektorin e Hetimit të Krimit dhe më pak për sektorët e tjerë.
Numër të lartë ankesash, qytetarët kanë depozituar në protestën e zhvilluar përballë selisë së Partisë Demokratike, si dhe në protestat e qytetarëve kundër rritjes së çmimit të karburantit e të ushqimeve.