Makina në foto është automjeti me të cilin po qarkullonte Iljaz Çali, në momentin që u ekzekutua me breshëri plumbash mbrëmjen e djeshme në autostradën Tiranë-Durrës, pranë mbikalimit të Rinasit. Mjeti tip “Land Rover” që drejtohej nga 37-vjeçari është transferuar pranë Drejtorisë së Policisë.
Sipas të dhënave paraprake nga hetimi, dyshohet se autori ka ditur çdo lëvizje të viktimës, madje e ka ndjekur atë nga pas. Në afërsi të mbikalimit të Rinasit, është hapur zjarr ndaj makinës tip “Land Rover”. Pas breshërisë së plumbave makina ka dalë jashtë kontrollit, ndërsa dyshohet se autori/ët, janë afruar dhe e kanë qëlluar sërish, për tu siguruar nëse ai ka vdekur.
37-vjeçari nuk është një emër i panjohur për policinë. Ai është arrestuar në vitin 2016, pak ditë pas grabitjes së parave në Aeroportin e Rinasit. Policia kontrolloi në atë periudhë dhjetëra banesa të personave të dyshuar për grabitjen dhe gjatë atyre kontrolleve gjeti në shtëpinë e Çalit 682 rrënjë kanabisi.
Në atë operacion, iu vunë prangat menjëherë së ëmës së tij Xhemile Çalit, kurse i biri që nuk u gjet në shtëpi, u shpall në kërkim dhe u arrestua kohë më vonë.