Ditën e sotme demokratët janë mbledhur në Shkodër, teksa i kanë “dhënë” dorën njeri tjetrit, në nder të dëshmorëve të demokracisë që u vranë gjatë masakrës së 2 Prillit. 31 vite më parë u shënua një ngjarje që tronditi Shkodrën që njihet si masakra e fundit e komunizmit në Shqipëri.
Ndonëse në zgjedhjet e një muaji më parë ishin kundërshtarë politikë, Grupi i Rithemelimit dhe deputetët mbështetës të Lulzim Bashës u bënë bashkë për të përkujtuar 2 Prillin në Shkodër.
Në ceremoninë përkujtimore të 31-vjetorit të vrasjes së martirëve të demokracisë do të jetë i pranishëm edhe ish-kryeministri Sali Berisha.
Masakra e 2 Prillit 1991
Më 2 prillit 1991 në qytetin e Shkodrës u vranë 4 dëshmorë të Demokracisë. Gjatë protestës masive, manifestuesit dogjën zyrat e Komitetit Qendror të PPSH-së në qytetin verior. Kjo ngjarje konsiderohet dhe si masakra e fundit e komunizmit në Shqipëri, ku mes turmës që protestonte u vranë me snajperë nga forcat e sigurimit, Bujar Bishanaku, Arben Broci, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka.