Detaje të reja po zbardh policia rreth ngjarjes ku mbeti i plagosur Nuredin Dumani, i akuzuar për 7 vrasje. Dy mjekët Juljan Malaj dhe Ermal Gjeçi, si dhe infermieri Bledi Bërdalli, të cilët u arrestuan, pasi mjekuan në një banesë në Fier Nuredin Dumanin, kanë dëshmuar se nuk kishin dijeni për të shkuarën e tij kriminale, por bënë thjesht detyrën si mjekë.
Ata thanë se ishte një i njohuri i përbashkët i Dumanit ai që i thirri për ndihmë, ndaj bënë detyrën e tyre. “Kemi shkuar te banesa e personit të plagosur të shoqëruar nga një i njohur. Nuk kishim dijeni për të shkuarën e tij kriminale. Kemi bërë detyrën si mjekë për t’i ofruar ndihmën paraprake të shpejtë një njeriu. Kjo bazuar edhe në betimin e Hipokratit si profesionistë dhe në çfarëdo lloj situate që të ndodhemi nuk mund t’i mohojmë kujdesin shëndetësor askujt. Ne na thirri një i njohur i përbashkët me Dumanin dhe vajtëm në shtëpinë ku na drejtuan, nuk dinim asgjë tjetër ”,u shprehën mjekët.
Kujtojmë që Policia e Shtetit ka shoqëruar ditën e sotme në komisariat 3 persona të tjerë të cilët dyshohet se kanë pasur njohur për veprimtarinë e Nuredin Dumanit. Dumani u arrestua mbrëmjen e së martës në një apartament në Fier ku u gjend i plagosur pas përplasjes me armë në Papër të Elbasanit.