Grupi parlamentar i Partisë Demokratike do të mblidhet ditën e sotme në orën 09:00 pak para seancës plenare. Mbledhja është thirrur nga kreu i grupit parlamentar Enkelejd Alibeaj, ku ndonëse ish-kryeministri Sali Berisha nuk është i ftuar, ai ka konfirmuar prezencën e tij.
Gjatë një prononcimi të shkurtër për mediat pas mbledhjes që zhvilloi me Komisionin e Rithemelimit, Berisha deklaroi se është njoftuar nga kolegët për mbledhjen e grupit dhe do të jetë i pranishëm.
Mbledhja e sotme është e para që bashkon të gjithë deputetët e PD që pas protestës së 8 janarit, ku ish kreu demokrat Lulzim Basha mori vendimin për përjashtimin dhe pezullimin e disa deputetëve që konsideroheshin si përkrahës të afërt të Berishës.
Nga ana tjetër, nuk ka asnjë informacion nëse ish kreu i PD, Lulzim Basha do të jetë i pranishëm në mbledhje, pas lajmeve që qarkullojnë nën zë se ai po nis takimet për krijimin e një lëvizjeje të re, që nisur nga karriera e tij politike, pritet të jetë vetëm një humbje kohe.