Dy vatra të reja të përhapjes së Gripit të Shpendëve në vendin tonë janë konfirmuar pas Durrësit, Dibrës dhe Pustecit. Është konfirmuar një vatër e re në qarkun Fier bashkia Divjakë dhe një në Devoll.
Nga analizat e bëra është bërë me dije se kanë ngordhur 60 pula në fshatin Gur të Divjakës të cilat ishin të infektuara me gripin e shpendëve.
Gjithashtu, lidhur me këtë situatë po shtohen masat për mbajtjen nën kontroll të situatës.
Por zyrtarët e veterinarisë dhe sigurisë ushqimore treguan se janë disa hapa me vonesë jo vetëm në zbulimin e vatrave të sëmundjes, por dhe në zbatimin e masave kundër përhapjes.
Pasi veterineri u mori monstrat për analiza shpendët e ngordhur në Divjakë u groposën në kanale nga vetë banorët, të cilët thonë se askush nuk i ka njoftuar.
Sipas protokolleve, 10 km nga vatra e sëmundjes duhet të zbatohet karantina, po në Gur të Divjakës nuk kishte asnjë masë, dhe banorët janë shprehur se nuk ka shkuar njeri.
Së fundmi, raportime për ngordhjen e shpendëve të oborrit ka nga fermerë të ndryshëm në disa zona të vendit, por nuk ka konfirmime nëse bëhet fjalë për grip shpendësh.