Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka reaguar pasi një anije me flamur rus është shfaqur së fundmi në Durrës, në një kohë që shteti shqiptar ka vendosur sanksione ndaj shtetit të drejtuar nga Vladimir Putin.
Ministria njofton se anija në fjalë ishte marrë me qira nga një kompani britanike, dhe është urdhëruar të dalë jashtë ujërave territoriale për shkak se kishte mungesë dokumentacionesh.
“Anija për transportin e mallrave të përgjithshme, me emrin “Neptun” me IMO 9358010 me flamur rus, por e marrë me qira (chartered) nga një kompani nga Britania e Madhe në datën 27.02.2022 është futur në ujërat e Republikës së Shqipërisë dhe ka qëndruar në radën e Portit të Durrësit. Nga verifikimi i dokumentacionit të anijes, nga ana kapitenerisë së Portit Durrës, ka rezultuar se mjeti lundrues ka pasur mungesa në dokumentacion dhe konkretisht: Certifikatën e sigurimit për përgjegjësinë ndaj ndotjes së detit BLU CARD në zbatim të konventës CLC (Civil LiabilityConvention) dhe Certifikatën e sigurimit në rast mbytjes në zbatim të konventës WreckRemoval. Për këtë arsye është urdhëruar të dalë jashtë ujërave territoriale të Republikës së Shqipërisë”, njofton ministria.