Këngëtarja e mirënjohur, Filloreta Raci, e njohur me emrin e skenës si Fifi, është bërë një emër i dëgjuar që prej marrjes pjesë në emisionin “The Voice of Albania”, ku ka interpretuar këngën “Mercy on me” në vitin 2011.
Këngëtari Sidrit Bejleri i cili ishte dhe në juri, ishte i vetmi që u kthye për Fifin. Fifi arriti të shkonte deri në fazën e dueteve dhe më pas u eliminua. Rrugëtimi i këngëtares në spektaklin muzikor mund të kishte zgjatur më shumë, në rast se Bejleri nuk do ta kishte vendosur përballë një konkurrenti të fortë asokohe.
Sidriti tregoi për “Ëndërrtjerrësit” se është penduar që e ka “përplasur” në fazën e betejave Fifin me Lundrim Paçukun, një nga konkurrentët që shkoi deri në finale.
“Unë jam ndjerë shumë keq kur i përplasa, se ka qenë dueti ‘Rrjedh në këngë e ligjërime’ që u ngrit salla në këmbë. E kam ndjerë faktin që mund të bënte rrugë me tepër Fifi. Ajo dukej, ia kam thënë që ‘artistllikun’ e kishte në gjak, pavarësisht se një 17-vjeçareje mund t’i tolerohen disa luhatje të intonacionit”, tha ai.
Fifi ishte pjesëmarrëse në edicionin e parë të “The Voice of Albania”, ku fituese u shpall Rina Bilurdaku, ndjekur nga Marsela Çibukaj në vendin e dytë.