Partia Demokratike ka reaguar për rritjen e çmimit të naftës në vend, i cili ka kapur nivele rekord brenda pak orëve duke arritur në 260 lekë për litër. Nënkryetarja e PD, Jorida Tabaku ka ngritur alarmin se nafta do të shkojë 300 lekë, ndërsa fajësoi qeverinë që ka rritur taksat.
Sipas Tabakut, Shqipërinë po e përndjek kriza e stagflacionit, ku njerëzit shpenzojnë më shumë për naftën dhe më pak për ushqimet e shportës, pasi qeveria nuk po ndërhyn për të ulur taksat.
“Po i afrohemi një krize ekonomike dhe në xhepat e secilit prej qytetarëve. Çmimi naftës po shkon 300 lekë/litër dhe kjo do të thotë që të gjithë produktet e tjera do të rriten ndërsa të ardhurat e qytetarëve do të zhvlerësohen. Shqipërinë po e përndjek kriza e stagflacionit, ku njerëzit do të shpenzojnë më shumë për naftën dhe më pak për ushqimet e shportës. Në një vend ku 40% e të ardhurave shkojnë për ushqimet bazike dhe pijet joalkoolike kjo do të thotë më shumë shpenzime për më pak produkte. E gjitha kjo nuk ka fajtor vetëm Putin edhe as luftën, qeveria Rama ka që në vitin 2014 që ka rritur taksat që ka vendosur tek nafta. Sot gati 60% e çmimit të naftës është prej taksave dhe tarifave ndërkohë që shqiptarët kanë rrogat më të ulëta në rajon. Një qeveri e papërgjegjshme që më lehtë ka justifikimin se sa punën për të ndihmuar shqiptarët që ta kalojnë krizën nuk është një qeveri për qytetarët. Duhet të veprohet përpos se të propagandohet”, shkruan Tabaku.
Sipas saj, rruga e vetme është lehtësimi i politikave fiskale, pra ulja e taksave, por qeveria ka më shumë përzemër koncesionet dhe PPP-të korruptive se sa kuletën e qytetarit.