Nënkryetari i PD, Agron Gjekmarkaj ka denoncuar komisionerët e PS se po tentojnë në kundërshtim me ligjin të rihapin KZAZ në Dukagjin në kushte kompromentimi të kodit elektoral.
Gjekmarkaj thotë se pasi kanë kaluar 5 orë dhe në Bruçaj të Dukagjinit ku për shkaqe natyrore nuk është hapur qendra e votimit dhe KZAZ ka njoftuar KQZ për mos fillimin e procesit, komisioneret e PS po tentojnë ta rihapin atë. Për këtë çështje, Gjekmarkaj ka vënë në dijeni Ambasadën Amerikane dhe kryekomisionerin Celibashi.
“Per dijeni Ambasadës Amerikane dhe Zotit Celibashi! Një skandal po tenton të hedhë në erë procesin elektoral në Shkodër të cilin PD e dënon me vendosmëri dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme që të ndërpritet ! Pasi kanë kaluar 5 orë dhe në Bruçaj të Dukagjinit për shkaqe natyrore nuk është hapur qendra e votimit dhe KZAZ ka njoftuat KQZ për mos fillimin e procesit komisioneret e PS po tentojnë në kundërshtim me ligjin ta rihapin atë në kushte kompromentimi absolut të kodit elektoral. Komisioneret e PS duan të spostojnë votimin në një qendër të pamiratur nga KQZ. E gjitha bëhet në interes të PS për të bërë atë që dinë të bëjnë më mirë në këto 9 vite, shkatërrimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. PD nuk do të toleroje akte të tilla. Kushdo që tenton të hedhe në erë zgjedhjet , shit-blerësit kronikë do të përballen me vendosmërinë e Shkodranëve për të mbrojtur votën e lire si dhe me pasoja të forta ligjore! Shkodra di të mbrojë historinë e saj e po kaq vullnetin e saj politik”, shkruan Gjekmarkaj.