Detaje të reja janë bërë publike nga ngjarja e rëndë në Greqi ku një familje shqiptare prej katër personash është gjetur e vdekur ditën e djeshme. Sipas mediave të huaja, 12-vjeçari shqiptar, i cili gjeti nënën, njerkun dhe 2 vëllezërit e tij përtokë mes gjakut në shtëpi, është në gjendje të rëndë psikologjike.
Për këtë arsye marrja në pyetje e 12-vjeçarit do të shtyhet, pasi fëmija nuk është në gjendje të mirë. Ndërkohë zhvillimet për autorin e vrasjes së katërfishtë janë të njëpasnjëshme, me policinë greke që njoftoi se autori kryesor i krimit, ish-bashkëshorti i nënës 28-vjeçare nuk është më i dyshuar, pasi efektivët provuan se ish-bashkëshorti i shqiptares dhe babi i fëmijës 12-vjeçar ndodhej në punë momentin e krimit tragjik.
Ish-bashkëshorti i shqiptares me origjinë greke, pritet të shkojë në Andraviadë për tu kujdesur për të birin, shkruan Prwto Thema.
Sipas hetimeve deri më tani janë përmbysur 2 skenarë për sa i përket autorit. Sipas skenarit të parë mendohej se vrasësi ishte bashkëshorti i shqiptares, i cili mendohej se ka dashur t’i marrë jetën nënës dhe dy fëmijëve të tyre, 3 dhe 2 vjeç dhe më pas ka kryer vetëvrasje.
Skenari i dytë kishte si autor ish bashkëshortin grek të shqiptares, i cili u hodh poshtë, pasi ky i fundit ndodhej në punë gjatë krimit tragjik. Po ashtu dyshime janë ngritur dhe mbi pronarin e banesës pasi ka pasur konflikt me familjen dhe po kërkohet nga policia.