Është zbardhur dëshmia që kryedemokrati Lulzim Basha ka dhënë përpara hetuesve belgë për çështjen e “Toyota Yaris”, të cilën e denoncoi në mes të Kuvendit.
Pyetjes se ku e ka gjetur informacionin për 3.4 milionë eurot që se po vinin nga Belgjika, Basha i është përgjigjur se e ka marrë nga qytetarët nëpërmjet një letre denoncuese.
“Qytetarët e informojnë Partinë Demokratike për shumë çështje, një ndër të cilat është edhe informacioni për shumën e konsiderueshme të parave të sekuestruara në portin e Durrësit qershorin e 2018”, është shprehur Basha përpara hetuesve belgë.
Basha është pyetur gjithashtu nëse ka një protokoll për mënyrën e marrjes së denoncimeve, ndërsa ai është përgjigjur se nuk ka një gjë të tillë. Prokurorët kanë administruar dëshminë e kryedemokratit, duke u larguar pa një emër konkret se kush ishin personat që kanë dhënë këtë informacion.
Kujtojmë se hetuesit belgë u larguan disa ditë më parë nga vendi ynë, të cilët janë duke kryer hetime lidhur me çështjen e ashtuqujatur “Toyota Yaris”, ku u gjetën 3.4 mln euro në portin e Durrësit.