Presidenti Ilir Meta ka dekretuar me shpallje dy ligje të kaluara nga maxhoranca. Ligji i parë ka të bëjë me një qendër të përbashkët doganore me Greqinë, ndërsa i dyti për marrëveshjen e ekstradimit mes Shqipërisë dhe Spanjës.
Sipas Presidencës, marrëveshja e parë shkon në funksion të ndërmarrjes së masave të përbashkëta kundër kërcënimeve ndërkufitare nga ana e të dy autoriteteve, me qëllim forcimin e luftës kundër krimit ndërkufitar, krimit të organizuar, migracionit të paligjshëm dhe trafikimit të drogave.
Ndërsa ligji i dytë synon plotësimin e kuadrit juridik në fushën e bashkëpunimit të ndërsjelltë në fushën penale dhe lehtësimin e procedurave të ekstradimit të shtetasve, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës.