Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dhe kreu i Kuvendit, Ilir Meta i kanë dërguar mesazh ngushëllimi presidentit turk Rexhep Taip Erdoan për sulmet terroriste të së martës në Stamboll
Në mesazhin dërguar homologut turk, z. Kahraman, Nishani dhe Meta shprehin ngushëllimet e sinqerta për familjet e viktimave.
Nishani: “Jam shumë i tronditur dhe i revoltuar nga sulmet terroriste në aeroportin ndërkombëtar të Stambollit, ku humbën jetën dhjetëra persona e shumë të tjerë u lënduan. Me ndjenjë të thellë trishtimi e hidhërimi, i shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera familjarëve të viktimave, popullit mik turk, Juve dhe qeverisë suaj, si dhe të lënduarve i uroj shërim sa më të shpejtë”.
Meta: “Jam i tronditur nga humbja e jetëve të pafajshme në Aeroportin e Stambollit. Në emër të Kuvendit të Shqipërisë ju përcjell ngushëllimet e sinqerta për familjet e viktimave dhe urojmë shërim të shpejtë për qindra të plagosur”.
Nishani dhe Meta shkruajnë në mesazhin e tyre për përkrahjen dhe angazhimin e popullit shqiptar kundër aktit terrorist. Ata shprehen se dënojnë çdo akt terrorizmi ndaj qytetarëve të pafajshëm.
Nishani: “I dënoj me forcën më të madhe këto akte të urryera terroriste që përgjakën muajin e shenjtë të Ramazanit dhe synojnë të trembin e destabilizojnë Turqinë mike, si dhe ju siguroj se në këto momente të vështira e kritike, unë dhe populli shqiptar jemi pranë jush, pranë familjarëve të viktimave dhe popullit mik turk. Zoti ju dhëntë qetësi, kurajë e forcë për përballimin dhe kapërcimin sa më shpejt të kësaj situate tronditëse e kritike”.
Meta: “Sulmi në Stamboll është goditje ndaj gjithë njerëzimit dhe ndaj vlerave që na bashkojnë. Shqipëria dhe populli shqiptar qëndrojnë përkrah jush gjatë këtij momenti të errët e të dhimbshëm. Jemi të palëkundur në angazhimin tonë kundër terrorizmit. Në solidaritet të plotë me popullin mik turk dënojmë me force çdo akt terrorizmi, që cenon qytetarët e pafajshëm”.