Deputeti i Partisë Demokratike, Lefter Gështenja është ndalur sërish tek inceneratorët dhe në dëshminë e ish ministrit të Financave, Shkëlqim Cani para Komisionit Hetimor.
Ndërsa publikon videon e ish ministrit në Komision, ku deklaron se refuzoi të firmosë sepse projekti ishte me shkelje, Gështenja shkruan se me një qeveri të korruptuar Shqipëria nuk mund të ketë zhvillim. Sipas PD, Cani refuzoi projektin sepse nuk kishte studim fizibiliteti, vlerësim financiar dhe ishte dhënë pa hapur një garë.
“Ish-ministri i financave u shkarkua se nuk pranoi të bëhej pjesë e kësaj afere. Një ministër e emëron dhe shkarkon kryeministri, prandaj asgjë nuk është bërë pa dijeninë, mbështetjen dhe miratimin e Edi Ramës”, shkruan ndër të tjera Gështenja.
Sipas deputetit demokrat, ka qenë ish-ministri Ahmetaj që ka miratuar kontratën e kundërshtuar nga Cani dhe që sëbashku me Mirel Mëritin kanë udhëtuar disa herë jashtë.