Partia Demokratike kërkon nga Komisioni Qëndron i Zgjedhjeve verifikim për kandidatin e “Shtëpisë së Lirisë” në Lushnje, Elton Bano, pasi sipas PD ka të dhëna se ai ka fshehur një dënim për vjedhje në Britaninë e Madhe.
“Partia Demokratike i kërkoi KQZ-së verifikimin sipas ligjit të dekriminalizimit të kandidatit të LSI-PDK në Lushnjë Elton Bano. PD ka të dhëna se ai ka fshehur një dënim për vjedhje në Britaninë e Madhe. “Sipas informacioneve të verifikuara në rrugë konfidenciale nga Partia Demokratike, rezulton se shtetasi Elton Ilir Bano, i datëlindjes 24.07.1978 ka qenë i proceduar dhe i dënuar në Britaninë e Madhe për kryerjen e veprës penale të vjedhjes, në periudhën 1998-2000.”- thuhet në kërkesën e PD drejtuar KQZ-së”, shkruan PD.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Banos i cili i hodhi poshtë akuzat. Në një prononcim për Top Channel, Bano thotë se akuza e PD nuk është e vërtetë dhe se qëllimi i vetëm i “shoqatës së bravave” siç thotë ai, është të shpifë dhe të hedhë baltë mbi figurat dhe qytetarët.
“Jo vetëm në shtetin anglez që nuk kam qenë i dënuar , por kurrë në asnjë shtet të botës nuk kam qenë i dënuar atje ku kam qenë ku kam jetuar. Këto janë shpifje, shoqata e bravave nuk di gjë tjetër vetëm të shpifë dhe të hedhë baltë mbi figurat dhe qytetarët. Unë që në fillim të fushatës kam ndjekur rrugë tjetër. Nuk kam dashur t’i kushtoj asnjë fjali kundërshtarit tim. Do përgatis edhe një padi kundrejt shpifësve, që nuk dinë të bëjnë asgjë tjetër veçse te shpifin. Të hedhin baltë dhe të njollosin figurën time”, tha Bano.