Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është zhvilluar ceremonia e fillimit të mandatit të Shqipërisë si anëtare e përkohshme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Të pranishëm në ceremoni ishin kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Jashtme Olta Xhaçka.
Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se anëtarësimi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, është një ngjarje historike për vendin tonë dhe një gur themeli në rrugën transformimit, për të përmbushur aspiratat si komb.
Ndër të tjera, Rama tha se kjo gjë nuk imagjinohej vite më parë, ku sipas tij Shqipëria, për shkak të regjimit komunist, konsiderohej si Koreja e Veriut në Europë.
“Dua ta them troç, pavarësisht këshillave të ambasadorëve, vetëm për një takim si ky me shumë miq, dhe të ftuar, ma ha mendja se mandati në Këshillin e Sigurimit ia vlen. Faleminderit që jeni këtu. Asnjë imagjinatë e shfrenuar nuk do ta kishte menduar këtë 3 dekada më parë. Ne ishim Koreja e Veriut e Europës, diktatura u shkërmoq falë njerëzve të lirë. Shumë herë rrjeta e historisë lëviz në mënyra të ndryshme, për ne shqiptarët zgjimi erdhi vonë, por që atëherë ne kemi ecur në drejtim të lirisë, demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Ne e kemi vënë të drejtën ndërkombëtare në qendër të axhendës sonë, nuk e di sa prej jush do të binin dakord me mua, se kudo që nevojat e qytetarëve vendosen të parat, ka një zhvillim të qëndrueshëm. Nuk ka paqe pa drejtësi, siguria nuk mund të vendoset pa u vendosur drejtësia, dhe llogaridhënia. Përmes saj ne do të shkojmë te pajtimi, kjo është detyra e një vendi të vogël si Shqipëria”, tha Rama.
Ndër të tjera, ministrja Xhaçka ndau eksperiencën e saj në SHBA duke e krahasuar me strehimin që Shqipëria bëri pak muaj më parë për afganët.