Reperi i famshëm, Ervin Selita i njohur me emrin e artit “Vinz” është lënë në burg. Ai u arrestua nga policia e Tiranës dy ditë më parë, pasi tentoi të vrasë me armë zjarri Zeni Xhindin, pronarin e një hoteli në rrugën “Tre Vëllezërit Kondi” në kryeqytet. Kjo pasi reperi ka shkuar në hotel me një vajzë dhe në atë moment recepsionisti i ka kërkuar të resë kartën e identitetin.
Në debat janë përfshirë dhe pronarët e hotelit dhe Selita ka nxjerrë armën duke qëlluar në drejtim të Xhindit por fatmirësisht nuk ka të lënduar. Ervin Selita ka precedentë të mëparshëm penalë pasi ka qenë i arrestuar edhe më herët, rreth dy vite më parë. Reperi është një figurë e njohur në Shqipëri dhe në Londër, pasi është pjesëtar i grupit të njohur “Hellbanianz”, që njihet për këngët e tyre dhe për faktin se kanë qenë kryefjalë e mediave londineze si të rrezikshëm. Hellbanianz është një grup i dominuar nga shqiptarët dhe sipas raportit të policisë, merret me trafikun e drogës në lindje të kryeqytetit britanik.
Ky grup ka hyrë fuqishëm edhe në tregun shqiptar, por jo me kokainë, por me videoklipe, të cilat kanë rezultuar të suksesshme. Këngët e tyre në “Youtube” kanë miliona shikime, ndërsa në videoklipe reklamohet jeta e shtrenjtë që ata bëjnë, me makina dhe aksesorë luksi. Anëtarët e Hellbanianz nuk e fshehin në tekstet e këngëve aktivitetin me të cilin merren në Londër.
Kujtojmë që “Hellbanianz” është një prej grupeve shqiptare që veprojnë në lindje të Londrës, raportoi “The Times”, dhe që veçohet nga grupet e tjera shqiptare’. Mediat britanike e konsiderojnë “Hellbanianz” si një nga disa bandat e fuqishme që merren me kartelet e drogës në Amerikën e Jugut. Ata thuhet se qëndrojnë pas linjave të trafikut të kokainës së pastër në Britaninë e Madhe.