Dritan Kola ka rënë në prangat e policisë Belge i cili është ekstraduar drejt vendit tonë. Burime policore bëjnë me dije se Kola ka qenë në kërkim ndërkombëtar prej 8 vitesh për disa vepra të rënda penale.
Kola i njohur ndryshe si Mark Kola, ka qenë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që ka kryer disa grabitje me armë në Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë. Në vitin 2014, në bashkëpunim me shtetasit F. P. dhe M. Sh., ka vjedhur me armë në një kompleks në rrugën “Konferenca e Pezës”.
Në vitin 2014, 43- vjeçari është lënë në masën e sigurimit “Arrest në burg” nga Gjykata e Tiranës, për veprat penale “Vjedhja me armë”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Ndërsa në vitin 2018, e ka dënuar këtë shtetas, me 24 vjet burg, për veprat penale “Vjedhja me armë”, “Plagosja e rëndë me dashje”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Brukselin, u bë i mundur arrestimi i tij, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.