Një situatë e pazakontë ka ndodhur në një aeroport në Australi. Një numër i madh i pasagjerëve janë ankuar që sigurimi i aeroportit pa ndonjë shpjegim ua ka marrë telefonat mobil dhe u ka kërkuar e fjalëkalimet për t’i hapur.
Një prej pasagjerëve ka thënë për The Guardian se është dashur ta dorëzoj telefonin dhe në një copë letër të shkruar fjalëkalimin, me të mbërritur në Australi pas qëndrimit 10-ditor në Fixhi.
Telefonat e konfiskuar futen në një hapësirë të veçantë ku i mbajnë për më shumë se 30 minuta, e arsyeja për një gjë të tillë akoma nuk dihet.
“Nuk jemi informuar se pse duan t’i kontrollojnë telefonat tonë. Nuk na është thënë asgjë. Është e tmerrshme dhe shkelje e privatësisë. Kush e di se çfarë kanë shikuar. Kur kanë fjalëkalimin dhe telefonin, ata kanë qasje në gjithçka – histori, postën elektronike, llogaritë bankare dhe sigurimin shëndetësorë”, tha një pasagjer.
Zëdhënësi i autoriteteve kufitare ka shpjeguar se bëhet fjalë për “mbrojtjen e komunitetit australian”, dhe se në këtë mënyrë mbledhja e informacioneve “rezulton e suksesshme në operacionet kundër aktiviteteve të paligjshme”.