Profesor Rexhep Uka mbajti një fjalim të gjatë dhe që u shoqërua me duartrokitje të forta gjatë Kuvendit Kombëtar të PD-së. Ai bëri një parashtrim të gjithçkaje që ka ndodhur gjatë fillimit të viteve ’90 kur PD erdhi për herë të parë në pushtet duke shfaqur probleme të theksuara në raport me administrimin e tij.
“Kam mbi një dekadë që kam grumbulluar disa minuta më tepër për t’iu thënë diçka. Pavarësisht motivit të këtij Kuvendi, mendoj se do të jetë një hap, një stacion më i lartë për të çuar me tej demokracinë tonë të brishtë. Shqiponja me dy krena nuk e ka fajin, sepse edhe ne po dukemi sikur jemi dy krena të një trupi. Boll me qenë e fortë si ajo e të mirat vijnë pas. Se do zgjidhim diçka e gjithçka sot, utopi. Se për çka kemi nevojë për t’u shëndetësuar politikisht, për të qenë aty ku na thërret koha e misioni, nuk dalim nga dera pa e thënë. A mund të ketë ndonjë mosmirënjohës, sado opozitar, që të mohojë rolin e PD? Nuk e besoj. Ne do t’i detyrohemi brez pas brezi qytetarisë. Të përjetshëm do mbeten në kujtesën e popullit martirët, ata që dhanë më të shtrenjtën, sublimen, jetën e tyre. Për herë të parë në jetë ishim të çliruar nga censura. Gatishmëria për të rrëzuar komunizmin ishte deklamative, por sfida e demokracisë ishte e panjohur. Të vetmen politikë që dinim ishte rrëzimi një orë e më parë i komunizmit. Me gatishmëri e dashuri kozmike, nga SHBA arritën ndihmat e para. Ata kishin kuptuar nevojën urgjente si të flisnim për demokracinë. Jehona ishte e paparashikueshme. Faleminderit Amerikë!“, tha ai.
Uka u shpreh se pak nga pak pa se si anëtarët dhe drejtuesit e partisë filluan të heshtin përballë kryetarit, të frikësuar se “nuk do të ishin të listën e tij”.
“Këto gjëra që kanë ndodhur më kujtojnë një thënie andej nga ne: ‘Ti rrih sa të duash, por unë kësaj nuk i them bukë e pjekur“, tha ai duke shkaktuar të qeshura, të cilat u shoqëruan me duartrokitje të forta.
Uka vijoi duke theksuar se pavarësisht motivit të thirrjes së tij, Kuvendi do të jetë një stacion për të çuar më tej demokracinë tonë të brishtë
“Shqiponja më dy krenat nuk e ka fajin, boll me qenë të fortë si ajo dhe të mirat vijnë pas”, u shpreh ai.
Uka solli në vëmendje të gjitha kontributet e PD-së në fillimet e pluralizmit, ndërsa kujtoi edhe fjalët e një veterani komunist.
“Përderisa me veshët e mi kam dëgjuar nga një komunist veteran, ‘për nder e bënë këta qentë’, a ka kompliment më të bukur? Përmbysja e regjimit diktatorial të Enver Hoxhës ishte vepër e lëvizjes studentore, akti më i lartë pas Shpalljes së Pavarësisë. Askush nuk u mburr, askush nuk pretendoi pronësinë dhe autorësinë e asaj vepre. Grupi unë i parë parlamentar për herë të parë shpalosi një fjalor që kurrë më parë nuk ishte përdorur më parë, “Faleminderit Amerikë!”, tha ai.
Uka u shpreh se: “Sot nuk është ditë leksionesh as predikimi. Është ditë mesazhi, tubim reflektimi, kthimi i Shqipërisë te Evropa, liri demokraci. Të bësh fajtor sot një njeri të vetëm për gjithçka që po kalojmë, përveçse fetish ndaj tij, është e gabuar dhe aspak e ndershme. Nëse mbizotërojnë interesat vetjake atëherë çdo gjë zhbëhet dhe sjell zhgënjim”.