Ministrja për fëmijët, Bora Muzhaqi ka gjetur kohën të flasë për vrasjen e vogëlushit Mateo. Reagimi i ministres së re vjen pasi sot shmangu te japë një përgjigje për gazetarët duke thënë se s’kishte kohë.
Muzhaqi, në një postim në rrjetet social shfaqet e prekur për reagimet e shumta ndaj sjelljes së saj. Ministrja thotë se është e neveritur nga reagimet.
Mesazhi i plotë:
Ndjesë nëse kam lënë shteg për keqkuptimin e kujtdoqoftë që ka pritur një përgjigje tjetër nga unë, përballë disa mediave të cilat m’u gjendën përballë duke shkuar për një tjetër takim pune. Jam thellësisht e prekur si të gjithë nga tragjedia e Fierit dhe besoj se gjithçka mund të bëhet më tutje për adresimin e çështjeve të pyetjes, do të bëhet, ashtu si duhet, nga institucionet. Detyra ime funksionale është angazhimi me programet jashtëshkollore të nxënësve e studentëve, si dhe programet e aktiviteteve për fëmijët në komunitet.
Prandaj dhe nuk m’u duk e udhës të jap një opinion personal mbi fusha të tjera specifike për të cilat m’u drejtua pyetja. Ndërsa për sa i takon sarkazmës politike apo mediatike me tragjedinë, nuk kam asnjë koment. E kam neveritur gjithnjë lojën publike me dhimbjen e shkaktuar prej tragjedive. Por sot e provova shijen e saj drejtëpërdrejtë. Vdekja e dhunshme e një fëmije nuk mund të jetë kurrë arsye për të luajtur me njeri-tjetrin. Ndjesë edhe njëherë atyre që kanë keqkuptuar përgjigjen time.